/ Mar 03, 2026

Haxhiu reagon pasi PDK-ja çoi në Kushtetuese 16 ligje: Byroja do të bëhet, pasuria do t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi PDK-ja dorëzoi dhjetëra ligje në Gjykatën Kushtetuese. Haxhiu ka thënë se kjo parti është e frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë.

“PDK sërish e paskan dërguar Ligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në Gjykatën Kushtetuese. Kjo lëvizje tregon më së miri frikën e tyre të thellë ndaj këtij ligji, i cili rrezikon të prekë rrënjët e korrupsionit që ata vetë kanë kultivuar ndër vite”, ka shkruat Haxhiu në Facebook.

Me këtë veprim, ka theksuar ajo, është e qartë se angazhimi i tyre politik nuk ka më të bëjë me aspirata apo vizione për të ardhmen, por thjesht me një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur pasurinë kolosale të fituar padrejtësisht në të kaluarën.

“Kjo është lufta e tyre për të mbajtur atë që kanë grabitur në kurriz të qytetarëve. 9 shkurti do të jetë dita ku sërish do të ballafaqohen interesat e tyre të ngushta përballë vullnetit popullor për qeverisje të drejtë, dhe luftë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Pra siç kemi thënë: ju edhe mund të na vononi, por kurrë nuk do ta ndalni vullnetin e popullit për drejtësi. Byroja do të bëhet. Pasuria do t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve. Drejtësia do të mbizotërojë”, ka shkruar Haxhiu.

Partia Demokratike e Kosovës ka çuar në Gjykatën Kushtetuese disa nga ligjet që u miratuan në seancën e 5 dhjetorit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se bëhet fjalë për 16 projektligje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ai tha se 15 prej tyre kontestohen në procedurë, ndërsa një prej tyre edhe në përmbajtje.

“PDK do t’i procedojë në Kushtetuese ligjet që janë miratuar në seancën e 5 dhjetorit. Ajo seancë ka përcaktu një standard jashtëzakonisht të dobët dhe kanë dhunuar jetën parlamentare në vendin tonë. Nuk besoj që një formë të tillë mundemi me gjetë në ndonjë parlament në Evropë ku dhunohet në atë formë kushtetutshmëria e Kosovës.

Sot i kemi proceduar në Kushtetuese 16 projektligje. Prej tyre 15 konstatohen vetëm në procedurë, ndërsa një edhe në përmbajtje. Nuk mundem me besu se si kryetari i Kuvendit e dhunon procedurën. Ligji për Byronë Shtetërore kontestohet edhe në procedurë edhe në përmbajtje”, tha Tahiri para mediave.

Tahiri theksoi disa nga shkeljet kryesore dhe flagrante të Procedurave Parlamentare si miratimi i këtyre ligjeve pa miratim paraprak të rendit të ditës nga Kryesia e Kuvendit, thirrja e seancave me njoftime të vonuara e të papërshtatshme për deputetët, duke pamundësuar shqyrtimin dhe amandamentimin e materialeve ligjore, si dhe procesi i miratimit të ligjeve, nga shqyrtimi në lexim të parë deri në miratim përfundimtar, është zhvilluar brenda një dite të vetme, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

“Edhe thirrja e këtyre seancave dhe njoftimi i deputetëve për mbajtjen e tyre është bërë në mënyrë kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme, vërtetohet edhe me njoftimet dhe ftesat zyrtare që ne i kemi pranuar si deputetë, e të cilat simbolikisht i demonstroj dhe prezantoj para juve”, shtoi ai.

Tahiri tha se deputetët kanë të drejtë elementare kushtetuese dhe ligjore, që të njoftohen së paku 48 orë më herët për mbajtjen e seancave, që të shqyrtojnë materialet e tyre, të përgatiten lidhur me to.

Recent News

Travel News

Lifestyle News

Fashion News