/ Mar 02, 2026

KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë dalë kundër certifikimit të kësaj partie – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

Lista Serbe e ka konsideruar vendimin si të kundërligjshëm dhe ka paralajmëruar se kryetari i partisë, Zllatan Ellek, do të japë më shumë hollësi në paraditen e së martës.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se moscertifikimi i kësaj partie është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.

“Kurti, me ndihmën e aleatëve të tij, synon të dëbojë popullin serb nga krahinat e jugut”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, pa ofruar më shumë hollësi.

Më vonë, Vuçiq ka thënë se ka biseduar edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për ato që i ka konsideruar shkelje të ligjit ndërkombëtar nga ana e Prishtinës, duke ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.

Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parti në opozitë, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, ka vlerësuar që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret për certifikim, por që ndan shqetësimet e përmendura nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së kanë thënë se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike është organ që vlerëson nëse një parti plotëson kriteret për pjesëmarrje në zgjedhje dhe ia dërgon rekomandimet panelit të KQZ-së.

Recent News

Travel News

Lifestyle News

Fashion News