Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, “nuk sheh nguti për të bërë zgjidhje politike”.
Sipas Abdixhikut, LVV-ja “nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik, e as fjalës së lirë të deputetëve, nëpërmjet uzurpimit edhe të ulëses së Kuvendit”.
Ai theksoi se nuk pret ndryshim deri më 26 korrik, datë që është afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundimin e seancave konstituive.
“Nuk shoh dhe nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura,” tha Abdixhiku për Gazetën Sinjali.
Ai shtoi se pas këtij afati pritet një interpretim i ri nga Gjykata Kushtetuese, pasi sipas tij tashmë është shkelur rendi kushtetues.“Ajo që pritet, është që pas afatit 30-ditor të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Por ne një interpretim e kemi, siç e kemi edhe një mosrespektim të saj – që do të thotë, kemi përmbysje të rendit kushtetues. Kjo është gjendja fatkeqe e Republikës së Kosovës,” tha Abdixhiku.
Ai theksoi se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, “ka huqur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet një interpretim i ri sepse nuk ka përcaktuar as gjykata se çfarë do të ndodhë”.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i detyroi deputetët ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik, por ngërçi politik nuk është zgjidhur.
Lëvizja Vetëvendosje po tenton të formojë një komision për votim të fshehtë, duke e hedhur në votim propozimin çdo dy ditë, por nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme.









