Nga një parti dikur dominuese në Kamenicë, PDK-ja sot ka mbetur një hije e vetvetes. Dikur partia më e madhe në komunë, me afro 4 mijë vota dhe 26% të mbështetjes qytetare, ajo ka përjetuar një rënie të vazhdueshme nga zgjedhjet në zgjedhje.
Në vitin 2016, edhe pse në koalicion me AAK-në dhe Nismën, arriti vetëm vendin e tretë me 21.3%. Rënia u bë edhe më dramatike në vitin 2019, kur PDK-ja mori vetëm 2,294 vota (14%), duke u renditur partia e katërt në komunë, pas VV-së, LDK-së e AAK-së. Në zgjedhjet qendrore (2021), rezultati ishte edhe më i dobët, vetëm 2,272 vota (13.4%).
Në nivel lokal, ndryshime të mëdha nuk pati. PDK-ja humbi besimin e qytetarëve për të udhëhequr Kamenicën që nga viti 2013, duke mbetur në opozitë e pa ndikim real. Madje, ajo nuk arriti t’i kontrollojë as asamblistët e saj në Kuvendin Komunal.
Pa udhëheqësit e fuqishëm të dikurshëm, dhe me kandidatë që nuk arrijnë ta rikthejnë fuqinë politike, PDK-ja në Kamenicë është sot në pikën më të dobët të saj historike. Kandidimi i radhës me Jona Arifin shihet më shumë si përpjekje për mbijetesë politike, sesa si garë reale për pushtet.









