Klubi nga Drenasi, Feronikeli 74 ka bërë të ditur se është tërhequr nga vendimi për t’u larguar nga të gjitha garat.
Presidenti i klubit të Feronikelit, Erlind Krasniqi, në konferencë për media bëri të ditur se deri te vendimi kanë ardhur për hirë të donatorëve dhe tifozëve, njofton Klankosova.tv.
Vendimin për largim nga të gjitha garat, Feronikeli e kishte marrë dje, ku përmes një njoftimi tha se deri te vendimi kanë ardhur pasi gjyqtarët “po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë”.
“Prej kohësh kemi garuar me përkushtim dhe dinjitet, duke promovuar një futboll të pastër në Superligën e Kosovës. Pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga referët, besuam në zhvillimin fair play të sportit dhe në integritetin e FFK-së. Kjo, ndoshta, ishte gabimi ynë më i madh. Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, pohojmë qartë: ‘Mjaft është mjaft’”, u tha dje në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Feronikeli dje e ftoi edhe Prokurorinë që t’i hetojë referat dhe sjelljet e tyre, sipas klubit, të njëanshme, të cilat thanë se kanë dëmtuar sportin që të gjithë e duan.
“Kërkojmë falje të sinqerta për futbollistët tanë, për tifozët “Tigrat e Zi”, për donatorët dhe për të gjithë ata që kanë qëndruar përkrah nesh ndër vite”.
“Në këto rrethana, bordi së bashku me Presidentin tërhiqen nga klubi. Për të gjithë ne, Feronikeli 74 do të mbetet gjithmonë klubi i zemrës, por, në një ligë që nuk i respekton parimet e drejtësisë, ne nuk do të garojmë më”, u tha dje në reagim.









